........

lunedì 28 agosto 2017

Diana Çuli: Pluhuri i artë i përjetësive



DIANA ÇULI: “PLUHURI I ARTË I PËRJETËSIVE”




Tashmë është një jetë e gjatë, që në të largëtin vit 1969 kur poeti Agim Mato botoi vëllimin e tij të parë me poezi Jug. Më pas, më 1974  vëllimin poetik  Në pragun e shtëpive tona dhe më 1986 Buka e fjalëve e më tej...vëllimet pasuan njëri-tjetrin. Ai spikati menjëherë mes brezit të poetëve të kohës së tij për një figuracion gjithë dritë, për lirizëm, mjete dalluese shprehëse artistike dhe për një frymëzim të veçantë nga viset bregdetare të Jugut, frymëzim i cili nuk e ka lënë as sot, përkundrazi.
Me vëllimin Pluhuri i artë i përjetësive, botuar nga shtëpia botuese MILOSAO, që mua më ra në dorë së fundmi, m’u përsërit edhe një herë në mendje aksioma se poezia, se arti nuk ka moshë, as kohë; se poezia, si edhe artet e tjera, nuk ecën paralel me zhvillimin e shoqërisë, por ndjek rrugën e saj dhe ligjet e saj të ecjes përpara. Ose të spirales së saj udhëtare. Mund të them, siç e ka thënë me të drejtë edhe profesor Fatmir Terziu në parathënien e librit se “Mesazhi themelor i vëllimit më të ri të poetit Agim Mato Pluhuri i artë i përjetësive është një gravitet mendimesh filozofike që agravojnë me mendimin te përkohshmëria e jetës”.  Do të pikënisesha këtu për ta zgjeruar më tej këtë koncept që më tërhoqi vëmendjen: përkohshmëria e jetës. Sigurisht. Madje, sa më shumë kalon koha, në proporcion të zhdrejtë me moshimin e njeriut, aq më e shkurtër të duket ajo. Një ndjesi që të shkakton kjo përmasë e universit, e cila i ngjan ankthit, por edhe paqtimit me veten.
Çfarë bën një poet kur e di se përkohshmëria e kohës është ndëshkimi i tij personal, si edhe i çdo qenieje tjetër njerëzore, por dhuratë për të tjerët, për ata që sapo kanë ardhur dhe për ata që vijnë më pas? Agim Mato e dëgjon kohën, e mban vesh, i duket sikur ajo tingëllon në mënyrë të vazhdueshme, por jo uniforme (Përrenjtë, Pasdite në Ksamil, Nuk jam bardi yt o det), herë i jep shenja, herë i jep porosi të çuditshme. Ajo rend, rend, por përfundon askund, në të vërtetë. Për Agim Maton, ajo edhe rikthehet, e humbet përmasën e saj e njëkahshme dhe shkon mbrapsht te Ndre Mjeda, te nëna, tek e shkuara e largët, te pelegrinazhi në kishën e Shën Anës, dhe atje zbulon të fshehta dhe mrekullime, po edhe trishtime, po edhe gëzime që ai është i lumtur t’i shohë. I menduar dhe i lënduar t’i shprehë.
Letërsia, filozofia dhe shkenca kanë kontribuar ta ripërcaktojnë konceptin e kohës në marrëdhënie me përvojën njerëzore. Kjo më duket se ka ndodhur tek poezia e Agim Matos, që kërkon t’i gjejë kuptimin gjërave, të hyjë në thelbin e tyre, përmes këtyre reflektimeve poetike. Dhe këto reflektime që lidhen vazhdimisht me temën e lirisë, veçanërisht individuale, të brendshme, - pa të cilën perceptimi për kohën do të ishte vetëm një rrjedhë e thjeshtë - i japin poezisë së tij ritëm e lëvizje. Ai na fton edhe ne ta shohim kohën si një udhëtim dhe vetë kohën si lëvizje e paprerë. Nuk e ka titulluar më kot vëllimin e tij Pluhuri i artë i përjetësive.
Në këtë lëvizje të paprerë, të përjetshme, ku e përkohshmja shkrihet në të si grimcë, si thërrmijë kozmike, ndihmon edhe peizazhi konkret i jugut të dashur të poetit: Në muzg zbresin hijet, Vezët e pulëbardhave, Në limanin e ditëve tona..
Poetin e ngacmon edhe zhvillimi teknologjik, era digjitale - poezia do të jetë ajo që ka qenë gjithmonë, do të trajtojë temat e saj universale e të përjetshme si dashuria, jeta, vdekja, mërzia, pasioni? A mund të ndikojë në jetën shoqërore, letrare? Pra, të gjitha ato tema ekzistenciale që kanë shqetësuar shpirtrat e poetëve në shekuj, si do të trajtohen tashmë, në këtë botë kaq të ndryshuar? Të gjithë jemi në këtë laborator të brendshëm, ku zhvillohet edhe gjuha jonë letrare. Por, ja që poezia del gjithnjë origjinale dhe fitimtare mbi zhvillimin teknik, duke mos tradhtuar kurrë temat e saj të mëdha. Duke shkrirë në një hap të ri e të panjohur - por gjithnjë intrigues e magjik - traditën me të tashmen dhe të ardhmen.
Kjo më duket se ndodh në poezinë e Agim Matos, që e sheh botën në një mëngjes të ri: Me shpirtin e çliruar nga motivet/sodit ditën që lind.

Nessun commento:

Posta un commento