Nexhat Rexha
RIGAT E SHIUT JONIAN NË POEZINË E AGIM MATOS
Agim Mato” Lundrimet...” Botoi ,“Milosao”, Sarandë, 2014. fq. 163.
Bota
poetike rezulton në përditshmërinë tonë si rrezatim i përjetimit në leximet e
para, duke veçuar veprat e autorëve me ndikim në letrat shqipe. Fjala artistike
ka fuqinë ndikuese dhe arrin ndikimin e saj,
pa imponime dhe pa diktate. Arti i shkrimit dhe arti i leximit i kanë
diktatet e veta, të cilat të pushtojnë me magjinë e fjalës. Kështu u takuam me
botën poetike të Agim Matos në kohë të vonshme. Takimet letrare kanë edhe këtë
rëndësi, ato gjithmonë ngrejnë ura në mes njerëzve e popujve. Në jetën
kulturore shqiptare takimet dikur bëheshin vetëm për të zgjedhurit e artit,
koha ndryshoi njeriun e artin, ajo vjen në komunikim më të lirshëm, por edhe më
të kompleksuar, sepse libri shqip sot, ka depërtimet nga më të vonuarat, siç po
vonohet edhe vetë jeta jonë në zhvillimet ekonomike.
Në
këto relacione dramatike vijnë edhe vargjet poetike të Agimit. Duke lexuar
poezinë e Agim Matos, cilëndo nga vëllimet e tija, domosdo lexuesi i kujdesshëm
do të krijojë profilin e poetit të veçantë, sepse vargu poetik i tij saktëson
fjalën dhe ndërlidh kohët. Poezia e Agim Matos është e shtruar në parashtrimet
artistike në përmasa të gjëra, sa artistike, po aq dokumentare, e cila saktëson
paraqitjet artistike në korelacion të mjaftueshëm të pëijetimeve të tija .
Poezia e tij vjen si rezultat i njohjeve të gjata nëpër vlimet e kohëve, ajo
qartëson idenë e vargut dhe në të gjitha konjukturat e nevojshme arsyeton
mesazhin poetik.
Vëllimi
poetik “Lundrimet...” ka parashtrim në pesë cikle, të cilat komunikojnë në mes
vete bukur, sepse lidhja e tematike e këtyre lirikave ndërlidh përjetimin në
variantin më funksional, duke artikuluar botën joniane gjer në thellësi të
botës shqiptare. Libri hapet me poezinë “Deti” për të paraqitur edhe ciklet e
tjera, si: Lundrimet e mëdha fillojnë
nga shpirti, Shtëpia ime prej deti, Kryqëzimi im,...dhe prisje lejlekët, Cikli
i fundit. Deti dhe bota poetike e Agimit i kanë lidhjet e gjata ata
komunikojnë që herët në mes veti. Qyteti i Sarandës buzë deti dhe Lëkursi
sogjetar mbi detin jonian janë sa meteorologë të stinëve të buta natyrore, po
aq janë edhe sogjetarë të klithjeve të gjata në përjetimit e kohëve të egra. Në
këto korelacione kohësh e ngjarjesh kapërdihet edhe poezia, jeta e Agimit. Ajo
është ruajtur në shpirtin poetik të tij si rigat e shiut kur natyra shqiptare
ndjen nevojën për të, ato vijnë me ters nga maja e Lëkursit mbi çatitë e
shtëpive të qytetit për të bashkudhëtuar me valët e njelmësinë joniane.
Në
poezinë “Deti”, e cila i paraprin librit, autori ka komunikuar me valët e
detit, ato krijojnë pamjet nga më të ndryshmet. Nëpër vargjet e kësaj poezie
gjejmë figuracion të pasur artistik. Komunikimi bëhet në kohën e ndodhive të
rënda për njeriun poet, ai ka shfaqur hapur mospajtimin me veprimet e asaj kohe
që deti me kthjelltësinë e tij nuk jepte mundësinë e gjallërimit të
dëshirueshëm.
Anija
dhe lundrimet në Detin Jon, pëijetime që aktualizojnë kohën e rëndë, në këto
rrethana vargu saktëson pëijetimin jetësor, pasthirrmat në kontekstin avancues
karakterizojnë kërkesën për shtegtime të ardhme, sepse ato janë kërkesa për
dalje nga gjendja e pakuptimtë e njeriut tonë, kurse britmat shënojnë kulmin
kërkesave nga thellësitë e detit deri në kupë të qiellit dhe atë si dëshmitarë
i mospajtimeve të proceseve shoqërore. Në vargun e fundit të poezisë “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”
Poenta e poezisë arrin fuqishëm mesazhin sa artistik, po aq edhe filozofik.”Vertet, nuk e di se lundrimet e mëdha
fillojnë nga shpirti”.
Kontaktet
poetike arrijnë të depërtojnë në të gjitha poret e jetës, sado që rrënimet
shqetësuese karakterizojnë botën reale të autorit. Ai di të tejkalojë dhembjet
shpirtërore nëpërmes vargut, sepse poezia është ajo që e bën poetin të ndjejë
të gjitha ëndrrat, të gjitha pikat aktualizuese kanë destinacionin e
pikëtakimeve të përbashkëta. Shpalosja e të bukurës është reflektim kah e
ardhmja, Agim Mato beson në këto ëndrra të nënkresave të ndryshme, ani pse ato
nënkresa krijojnë pagjumësi, ato vijnë me fatin e ruajtjen e substancës së
kolektivitetit kombëtar, si pasuri e origjinës burimore në atdheun tonë.
Fati
në shtegtime i ka krajatat e mundimeve të lodhshme, mirëpo ato kur kanë
brumosje edukative, e dashuri prindore mundin të gjitha valët e vorbullave të
jetës, sepse lotët për disa dekada kanë ruajtur në brendi testamentin
shpirtëror të kaluarës edhe mitike. Të ruash qartësinë nga evokimet jetësore do
të thotë ke krijuar bazamentin konstant që poezia të marrë përmbajtjen
shtjelluese sa më estetike, e kjo frymë ka mbështetje vizionin e tij prej
njeriu e artisti që artikulon dashuri.
Dallgët
e detit me baticat e zbaticat që krijojnë stinët gjatë vitit të marrin dhe të
japim trazimin e mallëngjimin shpirtëror të vetmisë, kur loti peshon sa vetë
deti. Në poezinë ”Thertorja”, pamjet trishtuese jetojnë gjatë në kujtesën e
njeriut, ato parafytyrojnë skena nga më të ndryshmet, sepse gjaku ngjyros
detin, e këto goditje kasapësh tronditin botën e qytetit në krijimin e klimës
për frymëmarrjen e ankthit, si në vargjet:
Oshëtinte salla e madhe,
gurgullonte kanali!
Ishim spektatorë të një teatri tragjedish që luhej çdo ditë
para syve tanë
me skenat e kasapëve e të peshkaqenëve
në sallën e madhe, në detin e hapur
dhe bridhnim këmbëzbathur mbi shkëmbinj
deri pasditeve vonë.
Përpëliteshim netëve në gjumë, shihnim ëndrra me kasapë
e peshkaqenë
. . . . . . .
.si në truallin e Trojës. fq. 56.
Hapësira
gjeografike në poezinë e Agimit ka shtrirje nëpër valë të ndryshme, ajo
komunikon me gjuhën poetike, kurse fuqia e veprimit kohor të jep shpresën,
anipse në disa momente ato shprehin dhembjet e gjata. Deti këtej dhe andej
Korfuzit i ka plagët e veta, këto plagë tejkalojnë nëpër veprimit e
peshkatarëve, të cilët nuk ndalojnë lundrimin e tyre, ata peshkojnë për të
mundur edhe mitet. Lidhja e detit me poetin konfirmon gjetjen e goditur
metaforike në shtjellimin e vargut, duke i dhënë perceptimin sa më artistik, po
aq edhe filozofik, sepse vetë jeta krijon dinamikën e rrjedhës së ngjarjeve,
ajo dikton avancimin e njëmendësisë nga mjeshtëria e dijes në magjinë e fjalës.
Konturat
e poezisë në vepër kanë drejtpeshimin artistik , të cilat shpalosin periudha e
botëkuptime te heshtura, kjo edhe i jep sharmin e fuqinë artistike poezisë në
tërësinë e saj. Cikli “ Kryqëzimi im” hapet po me të
njëjtën poezi, e cila vjen me fuqinë e dhembjeve të mundimshme, atëherë kur
ideologjia totalitare ngulfaste frymëmarrjen e lirë. Nëpër këto intimitete
fatesh, poezia saktëson vitet e rënda për të shkrirë këtë kohë të pakuptimtë,
ai ka dronë se kërkohet kohë e mundi për të tejkaluar këtë turmë të epokës
përmbytëse, si në vargjet:
Po biblën e vuajtjeve të mia
kurrë nuk e pranuan. Shiringat e ideologjive
shpirtrat ua kishin sterilizuar/ fq. 72.
Ruajtja
e kujtesës në memorien e poetit ka dashurinë për atdheun , për të gjitha kohët,
ajo vjen si retrospektivë nëpër këto devijime shoqërore, sepse protagonistët e Agimit janë njerëzit që
ai i ka njohur, si dhe ata me të cilët ai është brumosur që në fëmijëri, e në
familjen e tij, siç janë poezitë: Kryqëzimi, Duart e Tatës, Pinjoj, Ata që s’janë
më - kujdesen për mua, I them trishtimit. Konsideroj së ky cikël poetik
ka nivelin më të lakmueshëm artistik, sepse përjetimet e fëmijërisë ruajnë pika
më të ndjeshme të jetës njerëzore. Në këto pika takimi konfirmohet realiteti i
jetës me magjinë artistike. Karakteri i brendshëm ka edhe diskretet e veta, të
cilat si mendim shfaqin kulmin e zhgënjimit apo të lumturisë. Në këto relacione
ekzistenciale deti Jon, sikur ka lidhur fatet për një ditë me tjetër, ky
akumulim ka qëndruar për shumë vite i strehuar në muzën poetike të Agim Matos.
Libri
“Lundrimet...” në të gjitha dukjet e veta të brendshme ka shtrirjen
funksionale, duke bashkëjetuar nëpër epoka e perandori nga më të ndryshmet,
kurse qyteti i Sarandës e deti Jon kanë dhënë e marrë nëpër këto epoka. Vegimet
poetike krijojnë mundësinë e këtyre njohjeve sa të gjata e të thella, falë
trajtimit të arrirë estetik nëpër meditimet e thurrjet e vargjeve, si në; ide, kompozicion,
mesazh, muzikalitet e figurshmërinë artistike që e kërkon vetë poezia . Në këto
orientime, pikëtakimet e dhëna japin dokumentaritetin faktik me artikulimin
artistik që të jep fjala si fuqi e arritjeve kozmike në drejtpeshimin e
qëndrueshëm të poezisë
Deti
i Agimit dhe deti real janë dy hallka që lidhin jetën, kohët dhe mitologjinë e
botës shqiptare. Poezia si realitet e imagjinatë krijon e ruan në brendi
elementet me të rëndësishme, të cilat krijojnë rrethanën e frymëmarrjeve për
vijimësinë e njeriut nëpër periudha të ndryshme. Deti sa i afërt, sa i largët,
sa i lakmueshëm është në historiografinë e pupujve të Ballkanit. Duke e ditur
sipas mitologjisë se Poseidoni në lashtësi është vetë Zoti i detit. Odiseu i
luftërave të gjata e pritjeve të mundimshme, ai lidh fatin me detin e atdheun.
Rozafa mitike e sakrificës. Kreshnikët e moçëm, si Muja e Halili me shumë
elemente glorifikuese të tjera mitike lidhin kohët. Agimi ka ndërlidh ngjarjet
me protagonistë edhe nga kultura botërore, si; Kolombo, Magelani, Robinson
Kruzo etj., janë këto ndërlidhje me detin e poetit Agim Mato.
Libri
në mbarështrimin e tij të tërësishëm ka të ngjeshur figuracionin nevojshëm të
metaforës si dhe figurave të tjera artistike, të cilat i japin brumosje e
ngjeshje të lakmueshme poezisë si dhe krijojnë qartësinë filozofike, duke i
shtuar vlerën e pakontestueshme në fjalëformimin gjuhësor, burimor si thesar në
ruajtjen e gjuhës standarde.
Vëllimi
poetik ”Lundrimet...” në lexim e përjetim të krijon përshtypjen
afruese për jetë, dashuri, njerëzimin e atdheun . Ajo rrezaton bukur në të
gjitha variantet e saj si krijim estetik me vlera të dalluara artistike që dosmosdo begaton
tabanin kulturor e kombëtar