IKJA E
MARGARIT SULIT
Ike dhe le pas një traktat filozofik qesëndisës për jetën,
me një buzëqeshje të hidhur,
që të tregonte enigmatik në sytë e të tjerëve.
Pe të të sulej vdekja dhe nuk u përpoqe t’i shpëtoje,
t’i merrje mendjen,
që të mund të thithje edhe ca metër kub ajër nga kjo botë.
“Po shkoj, the,
e kotë t’i qaravitem fatit!”.
Dhe mbylle llogaritë me jetën,
në një mënyrë që vetëm ti mund t’i mbyllje.
Kur të bëmë bilancin,
kur gërmuam në thellësitë e heshtura të karakterit tënd,
shtangëm para diamanteve të paprekura të virtyteve
që i ruajte me aq xhelozi nëpër labirintet
ku të çoi fati.
Djalë i hajthëm, eshtërfort i fisit suljot nga rridhje,
mes nesh ti ishe një
mineral që s’e gjenim te Mendelejevi,
ishe klithma pezull mbi
mahnitjen e kaltëreme të Jonit,
ishe refren i melodive të
pa luajtura ende,
ishe një petal ëndrre.
Shpirti yt i lirë, si një qilim fluturues
shëtiste sipër fenomeneve
dhe gjithë të panjohurat
dorëzoheshin para teje.
Nuk e ngrije zërin kurrë.
Gjithë jetën mërmërisje
melodi të pafundme për
t’ju shmangur
kotësive dhe keqkuptimeve
të përditshme.
Në vend të nekrologjisë
pate kërkuar të këndohej
mbi dheun që hapëm
e famshmja “I giardini di
marzo*”
e Lucio Battistit.
Pas kësaj
nuk e di në të qetësuan “lumenjtë e kaltër, kodrat dhe
livadhet ku bredhin melankolitë e tua të ëmbla” ,
“në gjeti hapësirë universi brenda teje”
dhe a t’u “ngjall sërish kuraja për të jetuar”?
* Kopshtet e marsit. Rreshtat në thonjëza janë nga
kënga me këtë titull.