FATI IM - DELFIN MESDHEU
Jam biri i brigjeve të gjelbra,
biri i rërës dhe i detit.
Fytyrën time nuk mund ta ndash kurrsesi
nga buzëqeshja e portokajve,
nga trungjet e menduara të ullinjve.
E kam harruar fare ditëlindjen
siç ka harruar deti të tijën
me ujin që rilind çdo ditë.
Nuk e di sa vjeç jam. Nuk e di
prej sa kohësh e kam pirë
këtë dritë të kaltër
që rrjedh sipër këtij dheu të gurtë.
U mblodhën aromat e tokës,
gjithë dritat, rënkimet e detit,
meditimet e ullinjve,
delikatesa e portokajve dhe më
krijuan mua.
Po fati im - delfin Mesdheu -,
ka dhjetëra e dhjetëra vjet
që shoqëron
një regatë shpresash të rraskapitura
në detin e trazuar të tij.
një regatë shpresash të rraskapitura
në detin e trazuar të tij.