FOTO V. MALO
Përmbledhja
me vjersha «Lundrimet» i Agim Matos është pasqyrë dhe sintezë e rrugës
dyzetepesëvjeçare të poetit, ku ajo që bie në sy është konsekuenca e stilit dhe
frymës që e ka karakterizuar. Spikat uniteti ideoartistik, që nuk arrihet
thjesht nga përzgjedhja e krijimeve, por nga mënyra e të përjetuarit e të
shkruarit, që autori kishte zgjedhur dhe i qëndroi besnik. Ai ka ecur me synime
të qarta, me kërkesa ndaj vetes, krijoi laboratorin e vet të mjeshtërisë
dhe përpunimit të motiveve. Poezia e Agim Matos
është poezi e inspirimeve dhe frymëmarrjeve të thella, ku hyjnë hapësirat,
deti, kohët me shtrirje pafundësie. Qenia njerëzore, qenia e tij, siç e thotë
vetë, është një makinë e universit, që punon me energjinë e ëndrrave.
Megjithëse vëllimi hapet me det dhe me
lundrimet në të, ai vazhdon me udhëtimet në hapësirat qiellore dhe kozmike, pa
mjete fluturimi përveç dëshirave, ëndrrave dhe fantazisë. Udhëtimi poetik
hapësinor është udhëtim drejt lirisë, ëndrrave të parealizuara, por edhe
i fuqisë shpirtërore plot hove të bukura.
Në
poezinë «Pjalmi i yjeve», midis të tjerave, Αgimi thotë: «Dua sërish të
sulemi drejt të pamundurës». Nobelisti Odiseas Elitis ka thënë se
poezia është rruga për tek e pambërritshmja. Konstrandinos Kavafis, me kthimin
e Odiseut në Itakë, na mëson se nuk ka rëndësi mbrritja, por udhëtimi i
pandërprerë, aventura e madhe e ravgimit. Poeti grek Nikos Kavadhias, ish
radist në anije tregtare, që i ra kryq e tërthor botës, ka shkruar kryesisht
për lundrimet. E njohur është vjersha e tij «Kryqi i Jugut».
Poezia
botërore ka një album të pasur me krijime për detin. Për vdekjen e Lord
Bajronit, midis të tjerave, A. S. Pushkini u shpreh: «Qe këngëtari (bardi) yt,
o Det!». Κlasik ka mbetur për ne «Sgalemi» i M. Gorkit, në përkthimin
mjeshtëror, plot ritëm e forcë, të Sejfulla Malëshovës.
Piktura pa fund, me peisazhe dhe beteja detare,
me sirena e lundërtarë, dhe romani e filmi i famshëm «Moby Dik» (balena e
bardhë). Francezi Klοd De Bysi shkroi simfoninë e njohur «Deti»
Deti
nuk ka qenë i huaj për shqiptarët, për të mos shkuar tek ilirët apo Haxhi Aliu.
Klasike mbetet kënga himariote «Vajzë e valave», e Neço Mukajt, e kthyer vajza
në statujë pritje, kënga shkodrane për detin me ujët e njelmët dhe kapidanin e
ri, apo kënga korçare për nisjen e barkës me flamurin shpalosur. Por në
Shqipëri letërsia me det ka traditë të pakët e të vonë. Nuk kemi patur
një poezi posaçërisht e të mirëfilltë detare. Deti me estetikën dhe simbolikën
e vet u zbërthye dhe hyri si temë dhe domethënie interesante në poezinë e
kultivuar shqiptare pas mezit të shekullit të kaluar. Midis të rinjve ka
qenë Moikom Zeqo ai që ka shkruar mjaft për detin, në poezi e në prozë, dhe
është i apasionuar me kërkimet nënujore.
Dritero
Agolli (vëllimi «Ηapat e mia në asfalt», 1961), foli për vajzat e bukura anës
detit, që i përqasi me sirenat, dhe më pas iu lut detit t’ia fisnikërojë
qënien, me bukurinë e vet dhe flladin ledhatues. Mbaj mend disa
vargje të hershme të Fatos Arapit për detin, ku thoshte se dritat e ngjyrat e
tij i përshkojnë trupin si rryma të kaltra gëzimi. Në një tregim të vonë të
shkrimtarit Aleko Babe, deti në breg me dallgët e shkumëzuara krahasohej me një
avlimend gjigant. Më kujtohet edhe një vjershë e kahershme e Hiqmet Meçajt për
spitalierin italin mbytur në Gjirin e Vlorës. Këto janë fare pak krahasuar me
ujanën e krijimeve poetike e letrare, por edhe do të ishte e kotë të bëhet një
inventar i tillë, sepse secili e ka përjetuar detin në prizmin e vet, me
figurat e veta dhe sipas gjendjes shpirtërore. Ndryshe e ka parë Petro Markua
me brengën e mërgimit e dëshirën për të bredhur deteve si pirat, ndryshe e ka
soditur Dionis Qirxidhi me çajkat e bardha që klithin mbi valë.
Ajo
që bën dallimin cilësor është prirja shpirtërore, psikoza me të cilën njeriu
ose poeti i drejtohen detit. Deti për shqiptarët ka qenë kryesisht mishërim i
së keqes dhe sjellës i fatkeqësisë, sepse andej vinin pushtuesit, piratët,
bajlozët, lufta. Me detin lidhen emigrime masive për shkak të pushtimit, ikje
në mërgimin ekonomik pa kthim prapa, Lufta e Vlorës e vitit 1920, 7
prilli i vitit 1939, incidenti i Korfuzit i vitit 1946, më pas blokada dhe
ndeshja në Bazën ushtarake të Vlorës. Ja dhe disa filma shqiptarë me det:
«Duel i heshtur», «Horizonte të hapura», «Ballë për ballë» e ndonjë film për
teknologjinë e metodat e peshkimit në ujëra më të thella.
Agim Mato na ka ofruar detin «e tij» në raport
me veten dhe me botën, fushëpamje dhe fushë përsiatje, edhe fushë veprimi, me
gjuhën që duhet të dish t’ia deshifrosh. Me siguri, pa detin poezia
e A. Matos as do të merrte jetë, ndoshta as do të ekzistonte. Ashtu si jeta që
kërceu nga deti në tokë, edhe poezia e A. Matos mori jetë nga deti, u zhvillua
në tokë dhe pastaj kërkoi hapësira. Udhëtimi hapësinor, ndërplanetar i poetit
është një aventurë e madhe arratiake, përplotësim i hapësirës së munguar, sfidë
ndaj banalitetit dhe ngushtësisë, mungesës së frymëmarrjes në jetën shoqërore,
ndoshta dhe provincializmit. Poezi si «Kryqëzimi im», «Pinjoj», «Duart e
Tatës», «Thertorja» etj, shquhen për tonet denoncuese, deri në masën që mund të
themi pa e tepëruar se poezia e A. Matos është edhe poezi e protestës sociale.
Disa prej tyre kanë elemente autobiografike nga kalavari i poetit dhe familjes
së tij.
Bilanci
i kujtimeve që lidhen me detin është: mjaft pësime dhe zhgënjime, psikoza
terrorizuese, dhe fare pak çaste të këndshme. Kurse rikthimi i dhunës së
verbër, gomonet e zeza, tregjedia shqiptare e Otrantos me «Katerin e Radës» dhe
anijen ushtarake italiane «Sibila», aksidentuan rrugën e re ku vendosëm
të shkojmë, na plagosin ende qënien. Plasi eksodi masiv, pasuan mbytje varkash
dhe e anijes në Otranto, që dëshmuan se edhe deti i pafaj, «asnjanës», u bë arenë
tragjike e historisë.
Atmosferën
kaotike dhe absurde të vitit 1997 poeti e përjetoi dhe e pasqyroi me nota
tronditëse në poezinë «Pranverë e asfiksuar», ku flitet me dhimbje edhe
për ndërtesën e shkrumbuar të bibliotekës së pasur të qytetit të Sarandës.
Këto pësime dhe rreziqet ishin një shkas e
rast për t’i ikur realitetit, por poeti qëndroi atje si ushtari në llogoren që
nuk e braktis.
Μë
kujtohet vargu i Viktor Hygoit që thotë: Deti – miku dhe armiku im. Mund
ta zbutësh e mposhtësh detin një copëherë, por ai është trajtëndryshues
si Proteu mitologjik, është tepër e vështirë ta bësh zap e ta kesh
aleat e mik. Sepse përpjekjet dhe pandehmat se mund të ketë det
miqësor, për ne nuk zgjatin. Në psikologjinë e shqiptarit deti
është më tepër sinonim i ndarjes. Sepse, përtej psikozës se nga deti kanë
ardhur bajlozët dhe pushtuesit, sistemi komunist e ktheu detin në një
mollë të ndaluar, hapësirë me kufi të paprekshëm edhe për vendasit. Në disa
këngë u ngriheshin himn anijeve tregtare, anijes që mbante emrin e
Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ose një transoqeanik me emrin patriotik Vlora,
por njerëzit nga bregu: «Shih me sy e plas me zemër».
Nga
Saranda poeti pa dritat e Korfuzit e dëgjoi kambanat e ishullit të ndaluar, siç
edhe i përmend në poezi dhe «sinjalet që xιxëllonjat shkëmbejnë me faret e
largëta». «Anës detit i palarë, / anës dritës i pa parë» thoshte
dikur Fan. S. Noli, duke patur parasysh qytetërimin perëndimor.
Përveç
që ndalohej kalimi i brezit të parë të ujit, disa nga pjesët e gjiret më të
bukura të bregdetit shqiptar ishin zona ushtarake. Në disa pjesë ishin vilat e
udhëheqjes puniste, kovalishenca, rezervatet për nomenklaturën, që ngjanin si
zona të minuara. Pushimet tona ishin privacion, me kushte minimale, ca
kabina si kolibe, udhëtim me tren, ku njerëzit shtypeshin si sardelet në kuti.
Ata që jetonin anës detit e afër plazhit, e shumta mund të shkonin në plazh pa
biletë. Gjithsesi, nuk kanë thënë kot të parët: «O afër detit, o afër
mbretit!».Τë jetosh në bregdet është privilegj. Ca më tepër ia dimë vlerën dhe
e dëshirojmë ne që na ka munguar realisht e objektivisht.
Prandaj
ngopja me det e shpirtit është një fitore, një nevojë për të privuarit,
për të gjithë.
U
desh një ndryshim epokal që në ujërat e kaltra të lëvizinin lirisht veljerat,
njerëzit të udhëtojnë me anije, tragete, kroçera, të zhvillohet turizmi
bregdetar dhe sportet në ujë jo vetëm për profesionistët. Por, megjithë lirinë
e fituar dhe shijimet, detet shqiptare, ndonse jo më «me dyzet palë lotë»,
vazhdojnë të jenë ndër më të kripurit në botë.
Deti
lidh popujt, ka thënë mbreti Leopold, nuk di i cilit shtet. Lidh, po sa
bashkon? Sepse edhe sot një mosmarrë-veshje për hapësirën detare midis dy
shteteve fqinj, vjen si një konflikt i ri jo thjesht interesash ekonomike.
Rikthehemi
tek deti dhe lundrimet e Agim Matos.
Lundrimet
e poetit janë ravgime cfilitëse, me shenja të ndritshme në horizont, por me
koordinata të paqarta e shpesh të mjegulluara. Thirrja e brendshme por edhe
sirenat që e trembin, pasioni delirant për të ikur nga kurthi i realitetit,
janë herë motiv nxitës e herë frenues. Udhëtimi fantastik, me romantikë
post-romantike, shoqërohet nga një muzikë eterne, një ardhmëni lumturuese që
nuk do ta jetojmë. Poezia shtegtare e tij është një futurizëm që vjen nga
e shkuara dhe një udhëtim i ri drejt hapësirave pa cak, pa harruar të
kthejë kokën prapa.Vargu i gjatë dhe ritmi i përgjigjen hapësirës me
shtrirje pafundësie, kërkesave të autorit për hovzime por edhe për «ndalesa»
për përsiatje. Agimi paraqet një det që i ngjan më tepër oqeanit, sepse nuk ka
caqe. Është një det i inividualizuar pak, me dukuritë karakteristike ujore dhe
atmosferike, konkretizuar me Sarandën në formë gjysëm hëne, Mezokanalin,
Korfuzin përballë, Krorëzën e mahniteshme, etj. (Në vargjet për
shkëmbinjtë e Krorëzës, që e ka bërë motiv edhe Stefan Martiko, kemi ngjashmëri
me Oktavio Paz-in, i cili i zhvesh gurët nga brendia lëndore dhe rëndesa,
i bën të lehtë, fluidë, madje shprehet se gurët janë kohë...).
Poezia
e Agim Matos është një poezi plot «fruta deti», duke nisur nga
leshterikët, moluskët e shpellave, deri tek zogjtë e lartësive, me
penelata që i gjejmë edhe tek piktorët shqiptarë (Agron Dine, Nestor Jonuzi,
piktori Skënder Lako me liqenin e Pogradecit, e të tjerë, vlonjatë e
sarandiotë) mandej tek ndonjë japonez siç mëton dikush.
Νë
nostalgjinë për detin është dashuria për brigjet, është De Rada me Milosaon,
Zonjën Mëmë e Zoti Tatë, është Serembeja që nuk mundi të kthehet në dheun e të
parëve, («zëmëra së harron që Turku ne na la
pa mëmëdhe»), por që për të gjetur të dashurën, udhëtoi deri në Brazil.
Ndihet
ngado dashuria për vendlindjen, por jo atdhedashuria në kuptimin klasik, me
retorikë dhe emfazë. Në vend të kultit të atdhetarizmit, gjejmë krijimin
e tij të hershëm çmitologjizues «Rapsodi e re për Mujin», kreshnikun
e gojëdhënës, që përballet me realitetin bashkëkohor dhe çarmatoset. Por
kjo dhe ndonjë poezi për dëshmorin, nuk e ndryshojnë raportin tematik dhe
kahjen e peshores ideoemocionale në tërësi.
Vargu:
«Nuk e dija/ se ishte mbushur me kaq shumë gjemba jeta në çdo hap që
hidhja» (f. 25 e librit) na kujton vargun migjenian «Ma
përpara nuk e dijshe se ishte aq i mnnerrshëm grushti yt, o jetë».
Një i ri plot ëndrra përballet me ligjin e kazermës, kurse «dielli i egër
i korrikut» është në të vërtetë jo ai i një stine, por i regjimit që përzhit e
djeg pa mëshirë, pa dallim.
Agim
Mato është brenda atmosferës ballkanike, ka lidhje me poezinë
bashkëkohore greke por edhe atë italiane. Takimi i heroit lirik me të dashurit
e vdekur na kujton zbritjen e Odiseut nën tokë, ku takon hijen e prindërve dhe
të shokëve të luftës që nuk jetonin më.
Në
poezinë e tij është dhimbja e Leopardit (ku e dashura është vetë Italia),
Salvadore Kuazimodo, me trishtimin e thellë si pus dhe hermetizmin jo aq
hermetik.
Kam
vënë re edhe lidhje e ndikime nga autorë të tjerë, që mund të jenë thjeshjt
përshtypje të miat. Kështu, shëtitja nëpër yje ka diçka nga pilot poeti francez
Ekzyperi, personazhi i tij fëmijë që mban pranë një qengj, simbol pafajësie.
Ka diçka edhe nga «Liza në botën e çudirave», ndikime këto të
fëmijërisë tek i rritur.
Në
pikëpamje stilistike, trëndafili i bardhë si abazhur i harruar ndezur mbi
lodhjen, na kujton kandelabrin e shuar të një suareje të vjetër të J. Ricosit.
Aftësia për të ruajtur një regjistër stilistik
e nivel metaforizues të gjuhës poetike, tregues mjeshtërie artistike, i jep
poezisë së Agimit kompaktësinë dhe njëjësinë e nevojshme.
Bie
në sy lirshmëria me të cilën shkruan, zgjedhja e fjalës, ndijshmëria,
brishtësia, eleganca, finesa.
Agimi
rrallë shkruan me varg të rregullt e rimë, sepse shpesh herë vargu e strofa e
rregullt mund të kthehen në shtrat Prokrusti, prozaizmi dhe varfëria e ndjenjës
nuk mund të fshihen pas disiplinës formale.
Agimin
e mbaj mend që nga vëllimi «Jug», ku ndihej aroma detare, mbaj mend edhe
poezinë kushtuar dëshmorit Cano Hajdini, njeri i familjes nga ana e të jatit,
shtëpinë e të cilit në Borsh e pashë nga afër. Cano Hajdini u vra në korrik
1944, në sulmin kundër gjermanëve në kalanë e Gjirokastrës, sulm i cili nuk
pati sukses. Dhe në këngën popullore për atë ngjarje dhe dëshmorët e saj hyri
vargu i madhërishëm: «Ju kish
lindur nëna për një botë të re». Νga ajo poezi e hershme e
Agimit mbaj mend figurën e flladit që nisi të frynte nga ylli i
mëngjesit. Si pasoi historia dhe se si flladi u kthye në suferinë e ngricë,
tashmë dihet.
Mund
të flisja pak edhe për të kaluarën e tij, por kujtoj vetëm se si, duke qenë
korrektor letrar-gjuhësor i gazetës lokale të Sarandës, «Fitorja», Agimi
nuk kishte të drejtë të botonte në të as një varg! Në vazhdim, largimi nga
puna, detyrë thjesht teknike, edhe pse kishte botuar dy libra me poezi
(«Jug» – 1969 dhe «Në pragun e shtëpive tona» - 1974) mosbotimi, pengimi
«për shkak të plenumeve», ribotimi në periudhën post-enveriane («Βuka e
fjalëve» – 1986), dhe pastaj pauza e gjatë deri në vitin 2011, kur doli libri i
ri «Jashtë eklipsit», pauzë për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike apo
vendimit të tij për një farë intoksikimi nga e kaluara. Dhe është ngjarje
letrare përtëritja, ringritja, synimi për ngjitje në një lartësi të re
krijuese. Në pohimet e autorit se: «Pas tridhjetë vitesh u
ringjalla» dhe «E kam gjetur nordin që më ishte mohuar»,
shprehin një të vërtetë të madhe e të hidhur. Por ndërprerja e
krijimtarisë (që dëshmohet edhe nga mosbotimi) duhet marrë me rezervë, sepse
poezia vazhdonte të jetonte brenda tij.
Agimi
është poet i peisazhit me dritë, i natyrës me bukuritë e saj. Të jetosh në një
zonë me klimë subtropikale, me blerim gjithëstinor, me portokalle, limonë,
nerënxa, ullinj, me bukovile, oleandro, trandafila, lulemaji, orkide, lulebore,
palma, dafina
(pemë shekullore në Butrint), nuk mund të mos këndosh për to. E poeti i këndon
edhe lulekumbonës e luleradhiqes, që më kujton një varg të ngjashëm të U.
Uitmanit: kur çeli e para luleradhiqe.
Në
moshë të madhe poeti shkroi disa nga vargjet më të frymëzuara dhe ndjenjëholla
për dashurinë, dëshmi e pasurisë shpirtërore dhe freskisë së ndjenjës («e
flaka moshën time,/ dhe do të të çoj për dore në lëndinat e pranverave të
reja»).
Nuk
mund të le mënjanë faktin se, ashtu si shumica e të persekutuarve të djeshëm
politikë, Agim Mato nuk u prek nga kompleksi i urrejtjes për keqbërësit e
djeshëm dhe dëshira për revansh.
Në
pikëpamje gjeografike dhe fizike, sot hapësira është bërë përmasë e çdo
krijuesi, që ofron mundësinë dhe jep të drejtën për të trajtuar tema pa
kufizim, të tregojë se universalizmi (gjithësorimi) deri edhe i ndjenjave
vetiake intime, nuk janë privilegj vetëm i të mëdhenjve dhe të
fuqishmëve.
Sot
deti është bërë urë lidhëse me botën, fushë lëvizjesh intensive, por edhe shteg
i hapur nga vijnë sëmundjet e qytetërimit bashkëkohor, kontrabanda e
prostitucioni, një haraç ky që nuk është vetëm i tranzicionit. Këto erdhën si
një kontrabiletë, si orvajtje që ta çshenjtërojnë detin e bregdetin
shqiptar. Dhe do të duhet mjaft punë së bashku për të patur
një bregdet të pastër e të bukur në çdo drejtim.
Kemi
dëgjuar për antimaterien, energjinë e zezë, magjinë e zezë, dhe tek Agimi
gjejmë një «planet me dritë të zezë!», që është jeta dhe bota pa dashuri, sepse
dashurinë ia rrëmbejnë dhe poeti thotë se shkoi në vetëvrasje. Duhet të vijë
një kohë e re, që të rifitohet dashuria. Preokupimin për realitetin
tokësor e shpreh këndshëm poezia «Vetmi kozmike», ku ngjan se autori pas
fluturimeve të lodhshme, kthehet përsëri në tokë, me besimin se planeti ynë
nesër do të jetë më i mirë, falë edhe një gjykimi më të drejtë të njerëzve.
Poezia
e Agimit mbetet një zbulim për lexuesin që e njeh dhe dashuron poezinë. Αjo u
pëlqye e vlerësua edhe matanë Oqeanit, ku iu botua një libër në vitin 2011.
Në
librin e ri të Agimit janë disa cikle që mund të qëndrojnë si vëllime më vete.
Është një përvojë e viteve 1970, që solli si risi strukturimin e vëllimeve
poetike përmes ndarjes në cikle me një ide ndërlidhëse.
Edhe
pse nuk u fol në shtypin letrar të kohës, poezia e Agimit u vlerësua që në
agimin e vet. Për poezinë e Agim Matos kanë folur Pandeli Koçi e Fatmir Terziu,
kanë treguar dashamirësi Sulejman Mato e Andrea Zarballa, janë bërë vlerësime
të merituara në shtyp e internet.
Edhe
kur përpara afro dy vitesh, u duk se Agimi deklaroi «fundin», pasioni i
pashuar e i pamposhtur për poezinë bëri të vetën. (Ai që e njeh gjuhën dhe
kuptimin e fjalëve e di se fundo i thonë zhytjes në thellësi të ujit, në
fundjon, e jo fundit. Është një mënyrë shprehje për të lozur pak
me lexuesin. Dhe Agimit i pëlqen ca humori çapkën...) De profundis
Leximi i përmbledhjes «Lundrimet», botim i «Milosaos» së
tij, më dha mundësinë të krijoj një ide më të plotë për profilin krijues, për
rrugën ku eci dhe ecën e, edhe pse me vonesë, të them një fjalë për të. Në
stacionet dhe piketat nëpër vite «Lundrimet» është, padyshim, më i
rëndësishmi dhe përfaqësuesi i tij, nga më të spikaturit në poezinë shqiptare
të ditëve tona (me aq sa e njoh unë).
Do
të mund të flitej më konkretisht për poezinë e Agimit, gamën emocionale,
optikën poetike dhe estetike, mjetet shprehëse etj., sepse kam
përshtypjen që në ndonjë rast kjo poezi trajtohet nga dikush
si posaçërisht filozofike, kur dihet se një poet i vërtetë duhet të jetë
edhe filozof, që idetë dhe mesazhet të shkrihen në mënyrë organike me
fjalën, zërin, unin e tij.
Dashurinë
për poezinë Agimi e tregon edhe si botues, teksa drejt tij vijnë mjaft
libra edhe nga rrethe të tjera e nga emigracioni shqiptar në shtetin fqinj.
Edhe kjo ndihmesë e botimtari është pjesë e jetës dhe veprës së tij.
Agimi
boton edhe një revistë letrare me krijime të poetëve të Bregut, Rivierës
shqiptare, revistë – album, që dëshmon larminë dhe klimën krijuese, prurjet e
vazhdueshme në detin e madh të poezisë. Edhe në këtë kuadër ai ka vendin e vet
të spikatur.
Dëshmi
është përkushtimi si botues, ku krahas talentit letrar, shpaloset talenti prej
biznesmeni, një karakteristikë kjo e kohës ku jetojmë, që nuk na çudit e
ndoshta këto dy veprimtari nuk janë në kontradiktë.
Së
pari me poezinë e vet, A. Mato ka ditur dhe ka mundur të mbetet jashtë «eklipsit»,
madje të shkëlqejë e rrezatojë.
Rilindja
dhe ngjitja e poetit Α. Mato u jep kënaqësi save e kanë dashur
sinqerisht. Shëndet e lundrime të mbara në vazhdim!
Foto V. Malo
Gjirokastër,
korrik 2014
faruk myrtaj
on
18/07/2014 16:12:41
DETI PËR AGIM MATON "NDËSHKIM" DHE FAR PËR MBIJETESËN
Tingëllon edhe më i besueshëm ishulli, kur shfaqet në arqipelagun ku bën pjesë Agim Mato...
Profesor në Universitetin e Tiranës për një periudhë bukur të gjatë Foto Malo, studiues e krijues me një jetë pervoje, arrin ta plazmojë këtë portretizim dëshirëmirë e realist.
Agim Mato u shfaq poet, prej kur të qenit i tillë, lindur e mbrujtur në gen, ishte aq e dëshiruar por jo edhe komode.
Por jeta kishte ndodhur: familja e tij, toka aty, dhe Deti...po, ishte Deti, që ia ofroi dallgët si mënyrë ekzistence të diku-thelltë dhe të tërëkuptimtë...
Më pas, të tëra do duhej të mbylleshin në vetvete, jeta në tërësi dhe familja, toka u vetëizolua, u mbyll në vehte, por deti...si mund të mbyllej deti?!
Ndonje poet tjetër bregdetas kërkoi qe t'ja jepnin në det tredynymshin e tij, kurse Agim Matos as ia dhanë, dhe as i hoqën dot.
Deti mbeti aty, në sy të tij, në të gjithë stinët, i përgjithnjëshëm në jetën e krijimtarinë e tij...
Ndaj prirem ta shoh Detin, si të lënë si "ndëshkim" të tij - pa e ditur vet deti-, si një ujk përballë të cilit qingji i brishtë ashtu vetëm eshtër të mbetej, të mos vinte dot mish kurrë...
Por, njëherazi kemi të gjithë gjasat që ta shohim detin aty, edhe si arsye e mbetjes gjallë të poetit brenda Agim Matos...
Arqipelagu merr e jep, në vehte, diku diku shfaqet ndonjë mol, ndonjë gji i qetë fare, e tjetërkund s'pushojnë dallgët së gdhenduri brigjet...
Kontinenti, thuhet, është diku, por më shumë se i tij, deti është i ishujve...
Tingëllon edhe më i besueshëm ishulli, kur shfaqet në arqipelagun ku bën pjesë Agim Mato...
Profesor në Universitetin e Tiranës për një periudhë bukur të gjatë Foto Malo, studiues e krijues me një jetë pervoje, arrin ta plazmojë këtë portretizim dëshirëmirë e realist.
Agim Mato u shfaq poet, prej kur të qenit i tillë, lindur e mbrujtur në gen, ishte aq e dëshiruar por jo edhe komode.
Por jeta kishte ndodhur: familja e tij, toka aty, dhe Deti...po, ishte Deti, që ia ofroi dallgët si mënyrë ekzistence të diku-thelltë dhe të tërëkuptimtë...
Më pas, të tëra do duhej të mbylleshin në vetvete, jeta në tërësi dhe familja, toka u vetëizolua, u mbyll në vehte, por deti...si mund të mbyllej deti?!
Ndonje poet tjetër bregdetas kërkoi qe t'ja jepnin në det tredynymshin e tij, kurse Agim Matos as ia dhanë, dhe as i hoqën dot.
Deti mbeti aty, në sy të tij, në të gjithë stinët, i përgjithnjëshëm në jetën e krijimtarinë e tij...
Ndaj prirem ta shoh Detin, si të lënë si "ndëshkim" të tij - pa e ditur vet deti-, si një ujk përballë të cilit qingji i brishtë ashtu vetëm eshtër të mbetej, të mos vinte dot mish kurrë...
Por, njëherazi kemi të gjithë gjasat që ta shohim detin aty, edhe si arsye e mbetjes gjallë të poetit brenda Agim Matos...
Arqipelagu merr e jep, në vehte, diku diku shfaqet ndonjë mol, ndonjë gji i qetë fare, e tjetërkund s'pushojnë dallgët së gdhenduri brigjet...
Kontinenti, thuhet, është diku, por më shumë se i tij, deti është i ishujve...